Kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski në faqen e tij në Facebook rreth ironisë së Edi Ramës ka shkruar se kjo është e papranueshme dhe se ai duhet të kërkojë falje.
““Shakaja” e Ramës është e papranueshme, ai i ka borxh që t’i kërkojë falje kryeministrit dhe mbarë opinionit maqedonas. Kovaçevski në vend të buzëqeshjes duhet të kthejë me reciprocitet dhe të kërkojë falje. Heshtja është më shumë se një turp! Kështu mendoni për ndërtimin e një Ballkani të Hapur?”, ka shkruar Dimitrievski.
Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama me shaka e prezantoi kryeministrin e Maqedonisë Dimitar Kovacevski me kancelarin gjerman Olaf Scholz si kryeministër i “Bullgarisë së ardhshme perëndimore”.
Derisa kryeministri grek ishte duke e prezentuar kancelarin gjerman me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Rama ndërhyn në moment dhe tregon me gisht se Kovaçevski do të jetë kryeministri i “Bullgarisë së ardhshme perëndimore”.