Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg.
Kurti ka shprehur mirënjohje ndaj ministrit për ndihmën në ekonomi, tregti e kulturë dhe ka shpresuar që bashkëpunimi bilateral në këto fusha të rritet.
“Ai theksoi se Qeveria e Republikës se Kosovës është e gatshme për të shtuar bashkëpunimin me qëllim të rritjes së investimeve dhe shkëmbimeve tregtare. Duke theksuar stabilitetin institucional dhe indikatorët pozitivë ekonomikë , kryeministri tha se Kosova dëshmon se qeverisja demokratike dhe zhvillimi ekonomik shkojnë krahas njëra-tjetrës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, gjatë takimit ka theksuar angazhimin e vazhdueshëm të Austrisë në mbështetje të Kosovës.
Schallenberg ka thënë se dëshiron që Austria të jetë mes tre investitorëve kryesorë në Kosovë dhe që të rritet bashkëpunimi në ekonomi.
“Ministri vlerësoi potencialin e popullit të Kosovës, si më i riu në Evropë dhe tha se beson në mundësitë që ofron Kosova veçanërisht në fushën e teknologjisë se informacionit.Duke folur për energjinë e ripërtëritshme, ai shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Austrisë për të mbështetur Kosovën në këtë drejtim”, bën të ditur Qeveria.
Tutje, në komunikatë bëhet e ditur se në takim u bisedua edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe qasjen konstruktive dhe kreative të Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, që në qendër ka njohjen reciproke..
“Duke biseduar për rrethanat e reja gjeopolitike, Kryeministri Kurti tha se mirëpret vëmendje të shtuar nga Bashkimi Evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai ritheksoi synimet e Qeverisë për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s, për çka edhe tha se shpreson në mbështetjen dhe lidershipin e Austrisë, për të ecur përpara në këto procese”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq ministri Schallenberg ka ritheksuar mbështetjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ministri austriak ka zhvilluar një vizitë paraprakisht me presidenten e vendit Vjosa e Osmani dhe me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.