Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku thotë se kanë qenë gjithmonë në komunikim me bartësit e Festivalit “Sunny Hill” për të ofruar gjithë mbështetjen për mbarëvajtjen e edicionit të sivjetmë të festivalit, festival ky që do të mbahet sivjet në Tiranë e jo në Prishtinë.
Çeku përmes një shkrimi në “Facebook”, thotë se nuk e ka të drejtën as kjo qeveri e as ndonjë qeveri tjetër, ta përdorë territorin e Kosovës pa i peshuar mirë kostot, përfitimet, pasojat, kohëzgjatjet në të cilat jepet në përdorim një tokë.
Sipas tij, organizatorët e festivalit kanë bërë presion duke kërkuar marrëveshje sa më të shpejt.
“E presim sa më shpejt në Kosovën e saj edhe Dua Lipën me dashuri e respekt të madh. Ajo ka kontribuar si artiste e si shqiptare në imazhin tonë ndërkombëtar. Asnjëherë nuk do të lejojmë që figura e saj të keqpërdoret apo të zbehet nga debate të politikës apo biznesit”, shkruan Çeku.
POSTIMI I PLOTË:
Kosova është dhe do të mbetet vend i organizimit të ngjarjeve rinore e argëtuese, të përmasave të vogla e të mëdha. Me ndihmën e qytetarëve, artistëve, bizneseve dhe shtetit.
Ministria e Kulturës ka qenë në komunikim me bartësit e Sunny Hill për të ofruar gjithë mbështetjen për mbarëvajtjen e edicionit të sivjetmë të festivalit. Para ca kohësh, edhe personalisht e kam kontaktuar Dukagjin Lipën me qëllimin e mirë që Ministria e Kulturës të shërbejë si pikë komunikimi për një mori kërkesash të tyre, nga siguria e infrastruktura deri tek mbështetja financiare e lehtësirat tatimore, çështje të cilat prekin disa ministri. Një grup i përbërë nga zyrtarët e disa ministrive ka qenë duke i trajtuar këto kërkesa për të siguruar mbështetje për festivalin nga disa aspekte.
Motivi dhe angazhimi ynë institucional ka qenë i plotë, gjithnjë me synimin e përbashkët që Sunny Hill edhe sivjet të përçojë nëpër botë imazhe pozitive nga vendi ynë. Por, çka kemi me kursim në Kosovë, është toka. Nuk e ka të drejtën as kjo qeveri e as ndonjë qeveri tjetër, ta përdorë territorin e Kosovës pa i peshuar mirë kostot, përfitimet, pasojat, kohëzgjatjet në të cilat jepet në përdorim një tokë. Procesi i vendimmarrjes kërkon kohë për të qenë i plotë dhe për të mos qenë i gabuar apo abuziv. Nuk është e drejtë t’i dërgohet letër qeverisë ku t’i kërkohet vendimmarrje e shpejtë për Sunny Hill, dhe pas një kohe të shkurtë të shfaqet njoftimi se organizimi paska ndryshuar vendndodhje. Ky lloj presioni nuk lë kohë të mjaftueshme për t’u siguruar që vendimet institucionale do të ofrojnë mbrojtje të plotë të interesit publik, madje nuk lë kohë të shikohen as aspektet ligjore.
Megjithatë, ne e sigurojmë publikun rinor se në Kosovë nuk do të mungojnë ngjarjet e përmasave të ndryshme, me artistë vendorë e ndërkombëtarë. Edhe Sunny Hill gjithnjë do ta ketë derën hapur, për diskutime të qeta, e për marrëveshje transparente dhe pa presion.
E presim sa më shpejt në Kosovën e saj edhe Dua Lipën me dashuri e respekt të madh. Ajo ka kontribuar si artiste e si shqiptare në imazhin tonë ndërkombëtar. Asnjëherë nuk do të lejojmë që figura e saj të keqpërdoret apo të zbehet nga debate të politikës apo biznesit.