Një shqiptar i ka shpëtuar dëbimit për Ruanda në momentet e fundit.
Qeveria britanike kishte planifikuar që një grup prej shtatë migrantësh të cilët kishin kërkuar azil t’i dëbonin për në Afrikë.
Vendimi ishte dënuar dhe anuluar nga ana e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
26 vjeçari ka deklaruar për The Guardian se kishte qenë viktimë e trafikimit.
Ai tha se kishte qenë në gjendje shumë të keqe mendore derisa po hipte në avionin që do ta dërgonte për në Ruanda, një vend për të cilin nuk ka njohuri.
Sipsa raportimit të The Guardian, 26-vjeçari shqiptar ishte një prej shtatë azilkërkuesve që nisën sfidat ligjore të minutës së fundit për të shmangur fluturimin me forcë në vendin e Afrikës Lindore.
Grupi kishte në përbërje edhe tre iranianë, një irakian si dhe një vietnamez, të cilët mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla nga mesi i muajit maj.
“Në Shqipëri jam shfrytëzuar nga trafikantët për gjashtë muaj. Më trafikuan në Francë. Nuk e dija se në cilin vend po më çonin”- tha ai.
Shqiptari theksoi se kur e hipën në një varkë të vogël në Francën veriore, iu dha të kuptonte se trafikantë të tjerë do ta prisnin kur të mbërrinte në Mbretërinë e Bashkuar.
“Jam në gjendje shumë të keqe mendore. Nuk kisha asnjë njohuri për Ruandën. Nuk kam qenë kurrë në Afrikë. Nuk mund të kthehem në Shqipëri se do të më vrasin trafikantët. I vetmi vend i sigurt për mua është Britania e Madhe. Si mund të dërgohet një shqiptar në Afrikë?” – theksoi ai.
Ai shtoi se kishte menduar të vriste edhe vetën.