Dy të rinj u nxorën të pajetë nga rezervuari i Çekrezës në Tiranë pasi mjeti me të cilin udhëtonin ishte fundosur aty.
Viktimat janë Erjon Muça, 22 vjeç, dhe Dorina Gjokgjinaj, 20 vjeçe. Trupat e tyre të pajetë u nxorën këtë të premte rreth orës 10:45 nga polumbarët e forcave RENEA.
Alarmin për fundosjen e makinës e ngriti roja i rezervuarit rreth orës 07:20 të mëngjesit dhe që prej atëherë nisi puna për nxjerrjen e mjetit. Por ajo që do të zbulonin polumbarët ishte tronditëse.
Në sediljen e shoferit dhe të pasagjerit gjetën 22-vjeçarin dhe 20-vjeçaren të pajetë. Deri më tani mbeten mister shkaqet se si ka rënë mjeti në rezervuar. Po ashtu e paqartë është koha se kur ka rënë makina në ujë.
Dyshimet e para janë se ngjarja ka qenë aksidentale dhe i riu mund të ketë humbur kontrollin e mjetit duke përfunduar në rezervuar.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes.