Janë arrestuar gjashtë persona në Tiranë, pasi të njëjtit kanë transportuar mallra të dyshuara të kontrabanduara nga Kosova, me anë të linjës së autobusit Prishtinë-Tiranë.
Kështu ka bërë të ditur policia e Shqipërisë, në njoftimin e të cilëve thuhet se gjatë kontrollit të autobusit, në bagazh gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, mallra pa pullë fiskale.
“Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Free road”.Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë. Sekuestrohen mallra të ndryshme të dyshuara të kontrabanduara, një autobuz dhe tre automjete. Vihen në pranga 6 shtetas që bashkëpunonin për transportimin dhe tregtimin e këtyre mallrave”, thuhet në njoftim.
Ata bën të ditur se po procedohen penalisht edhe dy doganierë të pikës doganore Morinë, Kukës, për shpërdorim detyre, ndërkaq është shpallur në kërkim administratori i një subjekti postar.
Policia njofton se si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– E. C., 40 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një linje transporti;
– A. M., 52 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti tregtar;
– D. Z., 31 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti tregtar;
– Sh. M., 42 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti tregtar;
– Z. B., 32 vjeç, banues në Tiranë, faturino në një linjë transporti;
– E. L., 22 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i një poste private.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni policia njofton se u proceduan penalisht në gjendje të lirë, shtetasit Xh. Sh. dhe S. M., punonjës të pikës doganore Morinë, Kukës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim shtetasi S. B., administrator i një subjekti privat.
Në rrugën “Jordan Misja”, në një parking, shërbimet e Policisë kanë konstatuar autobusin e linjës Prishtinë-Tiranë dhe shtetasit A. M., D. Z. dhe Sh. M., të cilët do të merrnin mallrat, të dyshuara të futura kontrabandë në Shqipëri, nga dogana e Morinës.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar mallra të ndryshme të dyshuara të futura kontrabandë (veshje, medikamente mjekësore), autobusi dhe tre automjete.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.