Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim pjesëmarrësit e konferencës së parë parlamentare ndërkombëtare “E ardhmja e transportit”.
Në takim u bisedua për marrëdhëniet e mira ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe vendeve pjesëmarrëse në konferencë si dhe potencialin e mundësitë e forcimit të bashkëpunimit.
Kryeministri Kurti theksoi progresin e shënuar gjatë këtij viti në indikatorët ekonomikë dhe ata të demokracisë, për menaxhimin e suksesshëm të pandemisë, dhe për synimet e Republikës së Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.
Ai veçoi investimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në hekurudha, politikën energjetike 2022-2030 për Kosovën dhe prioritetet e qeverisë për investime në energji të ripërtëritshme.
Krahas shprehjes së mirënjohjes për vizitën në Kosovë, pjesëmarrësit potencuan gatishmërinë për angazhimin e tyre me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror, rritje të shkëmbimeve tregtare, investimeve dhe zhvillimit të turizmit.
Të pranishëm ishin kryetarët e Komisioneve Parlamentare për Mjedis dhe Transport dhe anëtarë të këtyre komisioneve nga Turqia, Estonia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, së bashku me kryetaren e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fitore Pacolli, ekspertë të kësaj fushe, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe studentë nga departamenti i Komunikacionit dhe Transportit nga Universiteti i Prishtinës.