Aktori i Hollivudit, Ben Stiller, i cili është ambasador i vullnetit të mirë për agjencinë e OKB-së për refugjatët, UNHCR, ka vizituar Poloninë dhe si pjesë të udhëtimit e ka vizituar edhe Ukrainën.
Ai mbërriti në Rzeszow në Poloninë jugore të shtunën dhe po viziton rajonin për të nxjerrë në pah nevojat e atyre që kanë ikur nga lufta në Ukrainë, thuhet në një deklaratë të UNHCR-së.
Ndërsa ishte në Poloni, ai takoi familje refugjatësh që ishin të detyruar të largoheshin nga lufta në Ukrainë.
“Miliona njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ku mbi 90 përqind janë gra dhe fëmijë. Unë jam këtu për të mësuar, për të ndarë histori që ilustrojnë ndikimin njerëzor të luftës dhe për të përforcuar thirrjet për solidaritet… Gjithkush ka të drejtë të kërkojë siguri, kushdo qoftë, kudo qoftë”,ka thënë Stiller.
Nga të famshmit që e kanë vizituar më herët Ukrainën është edhe aktroja Angelina Jolie, shkruan BBC.