19 qershor, 2022 – Presidenti Agim Ademi në kuadër të vizitave në stadiumet e futbollit për të parë nga afër gjendjen e tyre, sot, ka qëndruar në Kishnicë, Gjilan, Ferizaj dhe Suharekë.
Gjatë vizitës në dy fushat e futbollit që janë nën menaxhimin e minierës “Trepça”-Flotacioni Kishnicë, Ademi përshëndeti aktivitetin “Fun&Football” të organizuar nga KF “Shkëndija” nga Hajvalia, e ku morën pjesë më shumë se 250 fëmijë nga Hajvalia me rrethinë.
Qëllimi i vizitës së kreut të FFK-së ishte që të shoh gjendjen e fushave të futbollit në Kishnicë, pasi FFK e ka ndërmarrë iniciativën dhe është e gatshme që t’i marrë nën menaxhim dhe shfrytëzim këto fusha nga miniera “Trepça”, në mënyrë që aty të ndërtohet Kampi Multietnik, që është pjesë e strategjisë së re të masivizimit të futbollit.
I pari i FFK-së ka bërë thirrje nga Bordi i Minierave ‘Trepça’ dhe nga komuna e Graçanicës të punojnë së bashku në realizimin e këtij projekti. Kreu i FFK-së tutje ka vizituar edhe stadiumet në Gjilan, fushën me bari sintetik të ndërtuar nga federata dhe Stadiumin e Qytetit, pastaj stadiumin në Ferizaj dhe atë të kampionit aktual, FC Ballkani në Suharekë.
Ademi pas vizitave në këto stadiume dhe duke parë gjendjen e tyre ka kërkuar nga MKRS-ja dhe komunat që të veprojnë sa më shpejtë në përmbylljen e të gjitha projekteve, në mënyrë që klubeve dhe tifozëve t’u krijohen kushte më të mira.
Presidenti i FFK-së po ashtu ka kërkuar nga niveli lokal që të mbështeten klubet dhe t’u jepen stadiumet në shfrytëzim në afat të gjatë, pasi kjo do t’i jepte mundësi edhe FFK-së për të investuar me fondet e UEFA-s e FIFA-s.
Ademi ka thënë se synimi i shtëpisë së futbollit kosovar është që stadiumet e futbollit të jenë objekte moderne dhe komode edhe për tifozët, si dhe ndeshjet e Superligës të luhen nën dritën e reflektorëve, pasi kjo do t’i jepte mundësi, por edhe do t’i nxiste sa më shumë qytetarë që të jenë të pranishëm në ndeshjet e futbollit.