Presidentja Vjosa Osmani, në prag të 24 qershorit, ditës nacionale të komunitetit egjiptian, ka pritur një grup të grave të këtij komuniteti.
Osmani ka theksuar se është fat i Kosovës që përbëhet nga një shoqëri diverse, pjesë e së cilës janë edhe vajzat dhe gratë egjiptiane.
“Komunitetet janë vlerë e shtuar e shoqërisë dhe duhet t’u garantojmë mundësi e trajtim të barabartë. Fuqizimi i gruas është prioritet për mua. Ofrimi i mundësive për punësim krijon jo vetëm pavarësi ekonomike, duke pasur parasysh faktin se roli i grave në shoqëri është i jashtëzakonshëm, në të gjitha fushat”, tha Osmani.
Në takim, presidentja ka inkurajuar vajzat dhe gratë e komunitetit egjiptian që ta vazhdojnë angazhimin për fuqizimin e tyre.
“Si institucione të vendit, do të kujdesemi për qasje gjithëpërfshirëse dhe garantim të të drejtave tuaja. Përkrahja dhe fuqizimi i grave duhet të jetë angazhim i përbashkët në mënyrë që çdo qytetar të trajtohet me dinjitet dhe të jetë i barabartë”, tha Osmani.