Temperaturat e larta këto ditë dhe ardhja e një sasie të ajrit të paqëndrueshëm pritet të shkaktojë destabilizim të atmosferës.
Zhvillime të izoluara priten nga sonte dhe vende-vende mund të ketë rrebeshe shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për breshër.
Ekzistojnë gjasa për zhvillimin e ndonjë shtrëngate të fuqishme kalimtare në ndonjë rajon.
Edhe gjatë dy tri ditëve të ardhshme, edhe pse pritet të kemi periudha të gjata me diell, priten zhvillime të fuqishme të vranësirave konvektive të cilat pritet të kushtëzojnë rrebeshe lokalisht të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për breshër.
Reshjet mund të jenë problematike për disa rajone ngase mund të ketë rrebeshe mjaft intensive për periudha të shkurtra kohore dhe po ashtu mund të paraqitet edhe breshëri së bashku ma shkarkimet e fuqishme atmosferike. Reshjet dhe rrebeshet më së shumti do të vijnë në shprehje orëve të pasdites dhe mbrëmjes.
Këto zhvillime janë plotësisht normale për periudhën kohore në të cilën gjendemi ku kontakti i ajrit të nxehtë dhe ajrit të freskët dhe jo-stabil shkakton procese të bujshme atmosferike. Rrebeshe shiu priten në Kosovë, veri të Malit të Zi, Maqedoni Veriore në veri, lindje dhe juglindje të Shqipërisë. Shumica tjetër e territorit shqiptar mbetet pa reshje dhe pa zhvillime./MeteoBallkan