Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar ftesë nga presidenti i KE-së, Charles Michel dhe u nis për në Bruksel, ku do ta përfaqësojë vendin në takimin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Në njoftimin e lëshuar nga presidenca thuhet se në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Kosovën, pas aplikimit.
“Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkërendimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe sfidat gjeostrategjike si rezultat i agresionit rus në Ukrainë”.
“Po ashtu gjatë vizitës në Bruksel, Presidentja Osmani do ta takojë presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, si dhe krerë tjerë shtetesh partnere të BE-së për ta rritur mbështetjen për rrugëtimin evropian të Kosovës”, thuhet në njoftim.