Hyseni për Kurtin e Osmanin, mjaft më me politikë populliste, rekomandimi për liberalizim është dhënë më 2016

Hyseni për Kurtin e Osmanin, mjaft më me politikë populliste, rekomandimi për liberalizim është dhënë më 2016

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, e ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se është ekzaltuar nga mbështetja e marrë për liberalizim të vizave në samitin e sotëm të BE-së me Ballkanin Perëndimor për çka thotë se nuk është një risi.

Hyseni thotë se e para e vendit mendon se deklaratat e sotme pro liberalizimit të vizave për Kosovën janë dhënë për herë të parë, sepse beson se historia e Kosovës nis me të dhe Albin Kurtin.

“Një deklaratë e presidentes së Kosovës sot e lëshuar me ekzaltim nga Brukseli sa nuk më bëri të qeshja. Por dëshpërimi me politikën mashtruese dhe gënjeshtare të kësaj presidenteje nuk ka si mos të ta ngufasë edhe qeshjen. ‘Patëm mbështetje të madhe për liberalizimin e vizave’, paska thënë ajo, ashiqare e ekzaltuar, për të shtuar se, gjithnjë sipas saj, ‘si asnjëherë më parë shumica dërmuese janë deklaruar pro sa i përket liberalizimit të vizave. Në radhë të dytë shumica kanë përkrahur në përgjithësi perspektiven evropiane të Kosovës ..’ etj. etj.”.

“Natyrisht që kjo zonja presidente ka dëgjuar për herë të parë deklarata të tilla nga liderë evropianë, prandaj ajo vërtet edhe mendon se për herë të parë janë dhënë deklarata në mbështetje të liberalizimit të vizave dhe perspektivës evropiane të Kosovës, ngase ajo është e bindur që historia e Kosovës ka nisë me të dhe me shefin e saj, Kurti”.

Hyseni, përmes një postimi të gjatë në Facebook, thotë se deklarata që mbështesin heqjen e vizave për kosovarët janë dhënë që nga Samiti i Selanikut e tutje.

“Epo ja që e vërteta qëndron thelbësisht më ndryshe. Deklarata në përkrahje të liberalizimit të vizave dhe në përkrahje të perspektivës evropiane të Kosovës ka pasë në vazhdimësi që nga Samiti i Selanikut, por presidentja juaj të nderuar qytetarë, nuk i ka dëgjuar sepse ka qenë shumë e zënë, si argate e devotshme e politikës rrënuese të VV-së, me punën e kundërshtimit të demarkacionit dhe shumë vendimeve tjera shtetërore”.

Ish-kryediplomati kosovar deklaron se Vjosa Osmani dhe një grup i LDK-së, që i cilëson vazal të VV-së, kanë merita për mosliberalizimin e vizave në vitin 2016 për shkak që, siç thotë, e kishin kallur Kuvendin duke kundërshtuar Demarkacionin.

“Ajo si duket ka harruar që ka merita të mëdha për mosliberalizim të vizave në vitin 2016, kur së bashku me një grup nga LDK, vasal të VV-së sa nuk e patën kallur kuvendin në kundërshtim të marrëveshjes për demarkacionin. Veprimet e opozitës së atëhershme, ku bënte pjesë edhe Vjosa me disa deputetë të tjerë nga LDK, të cilët përbënin një bërthamë të VV-së brenda LDK-së, i patën ofruar pretekstin e mjaftueshëm dhe arsyetimin për mosliberalizim shume vendeve evropiane të cilat mezi prisnin një arsye. Gaz lotsjellës, koktej mollotov, sulmet në institucione dhe liderë institucionesh dhe mosratifikimi i demarkacionit ishin arsye të mjaftueshme për gjithë BE-në që liberalizimin ta mbante pezull, e me këtë edhe vet shpresat e kosovarëve”.

“O Tempora O Mores, m’u kujtua këtu se si një trim, ushtarak në kryesi të LDK-së, si një nga të devotshmit e bërthamës se VV-së në LDK, thoshte ato ditë se nëse ratifikohet demarkacioni, grupet e armatosura në Rugovë janë gati të nisin luftën me Malin e Zi!!!!!! Ishte gjeja më qesharake që kisha dëgjuar ndonjëherë”.

Skënder Hyseni ka thënë se Kosova është akoma pa liberalizim të vizave, ani se qysh në vitin 2016 ka plotësuar kriteret, për shkak të destruksionit opozitar në Kosovë dhe hipokrizisë politike të BE-së.

“Që në vitin 2016 Kosova kishte plotësuar të gjitha kushtet dhe me këtë edhe kishte hequr çdo alibi për zvarritje të liberalizimit. Por në momentin vendimtar, destrukcioni opozitar në Kosovë dhe hipokrizia politike e BE-së, u bënë aleatë kundër liberalizimit të vizave”.

“Dhe sot jemi këtu ku jemi. BE-ja nuk ka ma asnjë justifikim për zvarritje të liberalizimit. Mjaft më me politika të standardeve të dyfishta. Ndërsa, ju binomi Kurti-Osmani, mjaft më me politikë populliste, mashtruese dhe gënjeshtare, sepse ju siguroj se shumë shpejt do të mbeteni vetëm me atë armatën tuaj të mjerë digjitale virtuale!”.

Ai ka thënë se qysh në vitin 2016 bashkë me Komisionerin Evropian për Migrimin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, kishin bërë publike rekomandimin për liberalizim të vizave për Kosovën.

“Për të ilustruar hipokrizinë politike të BE-së dhe politikën mashtruese e gënjeshtare të Kurtit-Osmanit, në vijim po jap një konference për media me komisionerin evropian Avramapoulos në maj 2016, ku ai dhe unë së bashku patëm bërë publike plotësimin e kushteve dhe rekomandimin për liberalizim!”.

Related Articles