Këshilltari i Presidentes së Kosovës, Bekim Kupina, ka reaguar ndaj ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili sot e kritikoi ashpër Presidenten Osmani si bllokuese të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
“Me pas veç pak fytyrë, Vjosa Osmani e disa të tjerë në Qeveri e në Kuvend do ta mbyllnin gojën për liberalizimin. Presidentja Osmani, nuk u takua sot me bllokuesin e liberalizimit (Makron), ashtu siç u raportua. Por, dy bllokuesit e liberalizimit, Osmani dhe Makron u takuan në Bruksel. Gati më shkuan lotët kur e lexova deklaratën e Vjosës se vetëm asaj i është dashur viza për këtë takim në Bruksel. Çfarë ironie. Kjo mendon se populli e ka mbajtje mendjen e peshkut”, ka shkruar sot Mustafa për Osmanin, me të cilën dikur ndanin partinë.
Ndërkaq, Kupina, i ka kujtuar Mustafës fotografinë e vjetër sa ishte kryeministër, kur në vitin 2016 kishte dhënë urimin për liberalizimin e vizave, që ishte publikuar nga ministri i atëhershëm, Arban Abrashi. Ai i është drejtuar Mustafës, duke i thënë se kishte uruar para kohës dhe kishte ushqyer shpresën e rreme për qytetarët e vendit.
“Paaftësia e mbështjellë me urim. Urime liberalizimi, urime Kosovë! Ky mesazh triumfalist urimi është dhënë më 4 maj 2016. Bashkë me mesazhin është postuar edhe një foto në të cilën shihet z.Isa Mustafa, që me dorën në maus dhe koncentrimin me sytë katër, të bëhej sikur lajmin për liberalizim do ta pranonte me një klikim. Z.Mustafa, ju faktekqësisht uruat para kohës. Ju fatkeqësisht ushqyet shpresën e rreme për qytetarët e këtij vendi, sërish para kohe. Ju në atë kohë përdorët pretendimin se ka kritere të veçanta për shtete të veçanta”, ka shkruar ai.