Kryesuesi i Bordit të ZRRE-se, Ymer Fejzullahu, tha të premten se qytetarët e katër komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – do të faturohen me çmimet që i ofron kompania furnizuese, Elektrosever.
Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) miratoi të premten licencën për kompaninë Elektrosever, për furnizimin e veriut të Kosovës me energji elektrike.
Bordi i ZRRE-së votoi me pesë vota për dhe asnjë kundër.
Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.
Kjo kompani do të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri.
Licencimi i saj është paraparë me një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë për energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, por pajtimi për zbatimin e saj është bërë më 21 qershor.
Me këtë marrëveshje është paraparë që konsumatorët në veri ta paguajnë vetë rrymën e shpenzuar.
Nga fundi i luftës, më 1999, deri më 2017, rrymën për ta e kanë paguar qytetarë të pjesëve të tjera të Kosovës.
Nga 2017-ta e këndej – për shkak të ankesave të shumta – përgjegjësia për pagesën ka kaluar te Qeveria e Kosovës.
Përndryshe, ZRRE-ja miraton çdo vit tarifat për operatorët e tjerë energjetikë.
Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka deklaruar më 21 qershor se Elektrosever-i nuk do të prodhojë rrymë, por do ta blejë atë – qoftë nga Korporata Energjetike e Kosovës apo nga një tjetër ofertues në tregun ndërkombëtar – ndërsa inkasimin do ta bëjë vetë.
Elektroseveri, rrjedhimisht, mund të marrë apo blejë rrymë edhe nga kompania serbe, EPS.