Një 26-vjeçar ka përfunduar në spital ditën e djeshme, pasi që mori lëndime si pasojë e therjes me thikë nga një 18-vjeçar.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se gjithçka ka ndodhur në rrugën ‘Sadullah Brestovci’ në Gjilan, ku si pasojë e mosmarrëveshjeve të mëhershme, dy të rinjtë ishin fjalosur duke fyer njëri-tjetrin.
26-vjeçari nga frika se 18-vjeçari që mbante dorën ‘nonstop’ në xhep do ta sulmojë, e ka goditur me shuplakë me ç’rast ka nisur edhe përleshja fizike mes tyre e cila përfundoi me therje.
26-vjeçari është dërguar me urgjencë në spital, ku pas intervenimit të ekipit mjekësor është stabilizuar gjendja e tij shëndetësore dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë rasti është denoncuar edhe në Polici, të kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer kontroll tek i riu, tek i cili kanë gjetur substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Po ashtu prokurori ka dhënë urdhër që të kryhet bastisje në shtëpinë dhe banesën e të dyshuarit, ku gjithashtu kanë gjetur marihuanë.
Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka nxjerrë aktvendim që 18-vjeçari të ndalohet për 48 orë dhe të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në tentativë’.