Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar se rritja e çmimeve është trend global dhe jo faj i qeverisë së tij.
“Është evidente se kemi rritje të çmimeve. Ligji themelor ekonomik i ofertës dhe kërkesës luan rol për çmimet ndërkombëtare. Ukraina ka eksportuar miell dhe vaj në botë. Lufta atje ka shkaktuar ulje të furnizimit. Kjo ulje e ofertës, krahas edhe rritjes së kërkesës, natyrshëm ka ndikuar në rritjen e çmimeve të naftës dhe produkteve të tjera esenciale. Kosova nuk është e vetmja”, ka deklaruar në Kuvend ai.
Kurti është lavdëruar për ndarjen e mjeteve financiare prej 100 eurove për disa kategori sociale.
I njëjti ka pretenduar se nga kjo ndihmë, “është dëgjuar për herë të parë dora e shtetit”.
Po ashtu, shefi i ekzekutivit ka përmendur edhe lëkundjet në rritjet e çmimeve nga ana e tregtarëve, të cilët i ka quajtur manipulantë.
Krejt këto deklarime ai i ka bërë në seancën ku po diskutohet për rritjen e çmimeve në produkte të derivateve dhe atyre bazë.