Për turp e ka cilësuar kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, vizitën e Emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, në veri të Kosovës, e që i njëjti nuk ka vizituar minoritetin shqiptar në Luginë të Preshevës.
Kryetari i Preshevës, i ka replikuar Lajçakut në Twitter, duke ia rikujtuar se ai po përdor standarde të dyfishta në lidhje me këtë çështje.
“Është turp të ju shoh duke vizituar minoritetin serb në Kosovë përderisa zgjedhin që të mos e vizitoni Luginën e Preshevës”, shkroi Arifi.
“…Në Luginë, ku minoriteti shqiptar përballet me format më të rënda të diskriminimit. Standardet e dyfishta kanë një emër, BE”, ka shkruar Arifi.
Ndërkohë, në llogarinë e tij në facbeook, Arifi ka deklaruar se pa zgjidhjen e problemeve jetike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, nuk ka marrëveshje stabile edhe afatgjate në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e rrjedhimisht as paqe në rajon.
“Veprimtaria ime politike, përfshirë edhe kuadrin e politikave rajonale, ndër vite, ka qenë kryesisht me thirrje drejt shtetit të Kosovës për përfshirjen e Luginës së Preshevës, në dialogun në Bruksel”, deklaroi Arifi.
“Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian, diplomati Miroslav Lajčàk, gjatë qëndrimit në Kosovë dhe deklarata e tij rreth çështjes dhe përfshirjes së Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë-Serbi, shpërfaq politikat amatore të Republikës së Kosovës ndaj Luginës së Preshevës ndër vite e deri më sot”, deklaroi Arifi.
“Ndërsa, mbetet dëshpërues fakti që edhe pas kaq vitesh jemi në pikën zero!”.
Sipas Arifit, nëse, “kjo temë asnjëherë nuk është propozuar zyrtarisht apo formalisht”, siç kemi menduar; nga kush mbetet Lugina e Preshevës të kërkojë ndihmë, përfshirje në dialog a normalizim të jetesës!?”, shtroi pyetje publike, kryetari i Preshevës.
Në fund të vizitës së tij treditëshe në Kosovë, Miroslav Lajçak vizitoi kryetarët e komunave në veri të Kosovës, të banuar me shumicë nga minoriteti serb.
Megjithatë, Lajçak tha në konferencën e tij në Prishtinës, kur u pyet nga mediat se askush nuk e ka hapur temën e shqiptarëve të Luginës, gjatë procesit të dialogut në Bruksel.
Sipas tij, për të diskutuar për një çështje, duhet dakordimi i të dy palëve.