Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka akuzuar Qeverinë se nuk po reagon për të lehtësuar gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarëve, derisa ka dhënë disa propozime për ta bërë këtë.
Ai tha se një ndër to duhet të jetë edhe rritja e pagës minimale në 350 dhe këtu të përfshihen edhe veteranët.
Sipas Lekajt, jostabiliteti ekonomik që është shkaktuar si pasojë e rritjes së vazhdueshme e të përnjëhershme të çmimeve, Qeverinë e ka gjetur si spektatore, pasi që, sipas tij, nuk është vërejtur dora e shtetit në zbutjen e situatës.
“Sot, kjo gjendje ka prekur dukshëm shumë sektorë, ku në mënyrë zinxhirore përmes rritjes së çmimeve të produkteve të importuara janë rritur edhe shërbimet duke ndikuar drejtpërdrejt në sektorët e prodhimit, ndërtimit, shitjes dhe transportit”.
Lekaj u shpreh se në këtë situatë kur nuk ka rritje të pagave, kur tërheqja e Trustit nuk iu mundësua qytetarëve dhe shumë biznese po rrezikojnë të mbyllen, është e qartë se Qeveria nuk ka strategji të qartë për të ofruar zgjidhje.
Deputeti Lekaj, në emër të grupit parlamentar të AAK-së, Qeverisë i paraqiti gjashtë propozime për dalje nga kriza ekonomike:
1. Për një periudhë tremujore, të hiqen të gjitha taksat për artikujt esencial, siç janë buka, mielli, vaji, sheqeri, produktet e qumështit, të mishit e kështu me radhë.
2. Për një periudhë tremujore të përgjysmohen taksat e shitjes së karburanteve: naftës, benzinës dhe gazit.
3. Ta ridraftojë Ligjin për Pagën Minimale, ku shuma prej 250 eurove të ngritet në 350 dhe në këtë Ligj të përfshihen edhe veteranët.
4. Kuvendi i Kosovës, para se të shkojë në pushimet e verës më 15 gusht të këtij viti, ta miratojë Ligjin e Pagave dhe të fillojë zbatimi i tij i menjëhershëm.
5. Të rikthehet dhe të miratohet Projektligji për tërheqjen e mjeteve të Trustit.
6. Të rishikohen kontratat për kryerjen e punimeve të ndryshme, që janë lidhur në vitin 2019, 2020 dhe 2021 dhe të harmonizohen në përputhje me rritjen e çmimeve.