Policia Lokale e Saguntos në Spanjë, arrestoi një çift shqiptar 59 dhe 53 vjeç, të dyshuar për përfshirje në trafik droge.
Arrestimi ndodhi pas një debati mes pesë personave të kombësive të ndryshme dhe një telefonate në numrin 112, kur disa patrulla të Policisë Vendore janë paraqitur menjëherë në vendngjarje. Me të mbërritur atje, agjentët panë se njëri prej këtyre personave fshihte një çantë shpine pas një automjeti, në të cilin ndodheshin gati 8 kilogramë heroinë.
Personi që posedonte çantën është arrestuar menjëherë, po ashtu në pranga ra edhe bashkëshortja e tij që ishte e pranishme në vendngjarje, shkruajnë mediat spanjolle.
Gjithashtu, agjentët verifikuan se dy nga dokumentet e identitetit që mbanin të arrestuarit kishin shenja false.
Më pas, njësia e qenve në Policinë Vendore, në bashkëpunim me Policinë Kombëtare, kryen kontroll në banesën e çiftit të ndaluar, ku u gjet një sasi e konsiderueshme parash.