Gazetari Adriatik Kelmendi thotë se ofendimi i ministrit Hekuran Murati ndaj UÇK-së i bërë në vitin 2016 nuk është dëgjuar as nga politikanët serbë Aleksandër Vuçiq e Ivica Dacic.
Përmes një shkrimi në Facebook, Kelmendi thotë se prej kur ekzistojnë shkronjat UÇK nuk ka ofendim më të madh se të thuhet më mirë të kishim paguar mercenarë për luftën.
“Çka t’iu thuhet fëmijëve jetimë të pjesëtarëve të UÇK-së që kanë rënë në luftë me forcat serbe, çka t’iu thuhet pjesëtarëve të UÇK-së që i kanë lënë në front gjymtyrët e trupit?!
Çka t’iu thuhet fëmijëve të Jasharëve, fotografinë e të cilëve e shpërndajmë çdo fillimmars?!
Çka të thuhet kur heshtim ndaj këtij ofendimi të padëgjuar as nga Daçiqi e Vuçiqi në Beograd?!”, shkroi Kelmendi.
Tutje ai tha se në këtë mënyrë po përdhosen ata që u flijuan për ne, e që sipas tij, atëherë as ne nuk meritojmë më mirë.
Kujtojmë se Ministri i Financave, Hekuran Murati, kishte shkruar më 2016 se Kosovës po i kushtojnë më shumë veteranët se sa do i kishin kushtuar disa mercenarë. Ai, derisa kishte kalkuluar shifrat e pensioneve për veteranët e luftës, kishte shkruar se “këta tre muaj lufte të një ushtrie guerile donë me na dalë shumë më shtrenjtë se një ushtri e rregullt”.