PSD-ja paralajmëron protestë për të kërkuar dorëheqjen e ministrit të Financave, Hekuran Muratin

PSD-ja paralajmëron protestë për të kërkuar dorëheqjen e ministrit të Financave, Hekuran Muratin

Partia Socialdemokrate (PSD), ka paralajmëruar se do të mbajë protestë më 6 korrik në Prishtinë, për të kërkuar dorëheqjen e ministrit të Financave, Hekuran Muratit.

Kreu i kësaj partie, Dardan Molliqaj, në një konferencë për media ka bërë të ditur se protesta do të mbahet në orën 19:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe më pas në oborrin e Qeverisë.

“Nga sulmi ndaj shpirtit guximtar të çliruesit dhe zëvendësimi potencial i tij me një mercenar e deri tek reduktimi i luftës në përllogaritje buxhetore, ministri Murati shpaloset në të vërtetën e tij”, ka thënë ai.

“Shkarkimi nuk ka alternativë. Prandaj, me 6 korrik, prej orës 19:00, protestojmë me kërkesën për dorëheqje të ministrit Murati. Takohemi në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe përfundojmë tek Qeveria”.

Sipas tij, Ministri Murati nuk ka vend në qeverisje, “përderisa nuk njeh vendin që UÇK ka në historinë e Kosovës për çlirim”.

“Lufta jonë për liri nuk filloi e as nuk vazhdoi duke e bërë kontabilitetin e numrave. Kjo qasje në thelb është kundër luftës dhe nuk ka sens lirie. Kjo rrymë politike e lufton çlirimin, sepse ka nënshtrat durimin dhe përkuljen”.

“Për më tepër, kjo rrymë politike nuk e duron as tjetrin të ndryshëm prej tij. Ajo e sheh secilin narracion të nënshtrueshëm, siç është vetë. Pra kemi të bëjmë me mendje të kolonizuara dhe tendenca totalitare”.

“Kjo na bënë të kuptojmë që lufta nuk ka përfunduar në rrafshin politik. Fryma që sot dominon dhe e cila është e mishëruar në institucione, në krye me Kryeministrin, është aktive dhe në sulm. Gjatë këtyre ditëve kemi parë deklarimet skandaloze të ministrit Hekuran Murati duke sulmuar, përbuzur dhe denigruar luftën që ushtarët e UÇK-së kanë zhvilluar me aq shumë vullnet e mund”.

“Kosova, pavarësia e së cilës ka rrjedhojë pikërisht prej luftës guximtare të grave dhe burrave të UÇK-së, nuk mund të tolerojë që të ketë ministër dikë që përbuz të kaluarën për ta akomoduar ndërgjegjen e tij në të ardhmen. Por kjo nuk është e mundur. UÇK është frymëzimi ynë për të ardhmen”.

Ndërsa, Natyra Kuqi nga kjo parti, ka theksuar se “ministri Murati nuk mund të jetë ministër i Kosovës që është çliruar nga UÇK-ja”.

“Ministri Hekuran Murati nuk mund të jetë një ministër i Kosovës, e cila është çliruar nga UÇK”.

Disa postime të ministrit Hekuran Murati në Facebook të para disa viteve lidhur me veteranët janë përfolur ditëve të fundit.

Murati në vitin 2016 kishte thënë se më shumë po kushton buxheti për veteranët se buxheti për FSK-në.

E për këtë postim është pyetur sot kryeministri Albin Kurti, por nuk pranoi të komentojë

“Unë jam kryeministër, nuk jam komentues. Komentues ka pa fund. Kryeministri i Republikës së Kosovës qeveris me vendin për çështjet madhore. Çka shkruajnë komentuesit për komentimet e para shumë vjetëve nuk mund të jenë temë, e as prioritet për mua”, tha Kurti. 

Related Articles