Një jaht turistik prej 33 metrash me tre persona në bord, ka lëshuar mbrëmë, rreth orës 20:20, sinjalin S.O.S., për operacion shpëtimi në detin Adriatik.
Kapitaneria e portit të Durrësit ka pranuar një thirrje nga mjeti lundrues me flamur kroat “D’artista 07”, që ndodhej rreth 20 milje larg Divjakës.
Personat në bord kërkuan ndihmë, pasi jahti u përball me probleme në motor dhe rrezikonte mbytjen.
Drejtoria e Përgjithshme Detare në Durrës bën me dije se pas marrjes së njoftimit kanë nisur operacionin për shpëtimin e turistëve që rrezikoheshin.
Kapitaneria njoftoi anijet që ndodheshin në lundrim më afër jahtit, t’i jepnin ndihmën e shpejtë, ndërsa thirrjes iu përgjigj kapiteni i anijes së kontejnerëve ”The Spirit of Chennai”, që udhëtonte nga Italia në drejtim të portit të Durrësit.
Pas ndihmës që dha anija me flamur portugez, u arrit shpëtimi i tre personave, njëkohësisht edhe i jahtit.