Avokati i Nuredin Lushtakut, Artan Qerkini ka konfirmuar se klienti i tij është liruar pasi ndodhej në stacionin policor për intervistim. Lushtaku dyshohet se është përfshirë në një përleshje mbrëmë në Skenderaj, ku janë plagosur dy policë.
“E kam vizitu zotin Lushtaku, ai është liruar me procedurë të rregullt, meqenëse nuk ekziston ndonjë dyshim i arsyeshëm që ai ka përdorur armë gjatë incidentit në fjalë, policia do t’i zhvillojë hetimet, ne jemi të interesuar që hetimet të zhvillohen të plota në mënyrë që të zbardhet e gjithë e vërteta e këtij rasti, pa zhvillime të hetimeve natyrisht ne do t’i përdordim të gjitha ato mjete juridike që i kemi në dispozicion varësisht prej rezultatit të procedurës së hetimeve”, ka thënë ai.
I pyetur nëse ka të tjerë të arrestuar në lidhje me incidentin, Qerkini tha se s’ka informacion.
“Nuk e di për të tjerët, nuk mund të flas për të tjerët, sepse unë mund ta përfaqësoj vetëm një të dyshuar në këtë rast zotin Nuredin Lushtaku për të tjerët nuk kam informacion”, u shpreh ai.
Policia e Kosovës ka konfirmuar plagosjen e dy zyrtarëve policorë, mbrëmë në orët e vona në Skënderaj. Njëri polic është plagosur me armë zjarri e tjetri është lënduar me mjete të forta.
Lidhur me rastin janë arrestuar dy persona, ndërsa dy të tjerë ndodhen në arrati, ka konfirmuar policia.
Nuk dihet se kush nga personat e përfshirë në konflikt është prangosur.
Policët janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa motivi i plagosjes së dyfishtë dyshohet se ka të bëjë me shqiptimin e një gjobe në trafik.
Njoftimi i plotë i policisë:
Me datë 02.07.2022, rreth orës 23:55, është raportuar se në Skenderaj gjatë një pike të kontrollit janë sulmuar dy zyrtarë policorë, njëri është i plagosour me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është i lënduar nga mjetet e forta.
Të dy zyrtarët policorë janë jasht rrezikut për jetë, të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjeksorë.
Deri në këtë fazë dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë ndodhen në kërkim nga Policia.
Lidhur me rastin janë duke u ndermarr veprime operative dhe hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante.