Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se çmimi i derivateve në një pompë të Kroacisë është më i lirë se në Kosovë.
Ai në një postim në rrjetin social Facebook të cilit ia ka bashkëngjitur fotografinë duke e mbushur veturën me naftë, ka thënë se përkundër standardit më të lartë jetësor se të Kosovës, Kroacia e ka larguar akcizën e derivateve.
“Gjatë rrugëtimit tim në Kroaci ndalova në një pompë derivatesh ku çmimi ishte më i lirë se në Kosovë. Në Kroaci 13.08 kuna apo 1.70 Euro, ndërsa në Kosovë çmimi është 1.79 Euro”.
“Rroga minimale në Kroaci është 4,500 kuna apo 600 euro ndërsa në Kosovë mezi arritëm ta bëjmë 240 Euro. Përkundër standardit të mirë të jetës këtu, Qeveria ka vendosur ta heqë akcizën për derivate ndërsa Qeveria Kurti e refuzoi këtë veprim”, ka thënë Lekaj.