Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci dhe Arbër Rexhaj, kanë vizituar sot në spital policin që bashkë me një tjetër u lënduan ditë më parë gjatë një përleshjeje me armë zjarri në Skenderaj.
Njëri nga policët e lënduar është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa tjetri është liruar për në shtëpi.
“Në cilësinë e deputetëve dhe anëtarëve të Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, së bashku me kolegun tim Arber A. Rexhaj vizituam policët e lënduar në Qendrën Klinike Universitare, të cilit i uruam shërim të shpejtë!”, ka shkruar deputeti Bajqinovci në Facebook.
“Njëri nga dy policët e lënduar në Skenderaj ishte liruar nga QKUK për trajtim në shtëpi. Uniforma e shtetit duhet të respektohet!”, ka shtuar ai.
Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë mbetur të plagosur, njëri nga arma e zjarrit e tjetri i lënduar nga mjetet e forta, si pasojë e një përleshje që ka ndodhur në Skenderaj.
Në këtë rast dyshohet se i përfshirë është ish-nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku dhe disa nga familjarët e tij.
Ndaj, Gjykata Themelore në Mitrovicë të hënën ua ka caktuar masën e paraburgimit ish-nënkryetarit Lushtaku edhe dy vëllezërve të tij, Arif dhe Faton Lushtakut, të dyshuar për sulm ndaj zyrtarëve policorë.
Nuredin Lushtaku në fjalën e tij para gjykatës ka thënë se ky rast është i montuar kundër tij dhe familjes se tij.
“Rrethanat e këtij rasti konsideroj se janë të montuara kundër meje dhe familjes time”, tha Lushtaku.
Ai tha se duke i dëgjuar fjalët e prokurorisë e çudit fakti se si polici po bëhet viktimë nga prokuroria.
“Me sa unë e di i kanë edhe dy mjete të tjera ose tri, nëse e sheh që po rrezikohet prej masës ose prej dikujt, e fundit është mundësia e përdorimit të armës, nga policët e tjerë e kam parë që kanë përdorë sprej, çka kish ndodhë nëse edhe ata të gjithë i kishin nxjerrë revolet dhe na kishin drejtua neve, kur është nxjerrë revolja ne jemi tut që po vrahemi, pasi që ka gjuajt polici me revole, secili veprim ka qenë i ndikuar nga frika e të shtënave, dhe për me ja hekë revolen mos me vra dikon”, është shprehur Lushtaku në gjykatë.
Ai ka shtuar se askush nuk ka nevojë të ketë frikë prej tyre, as policia dhe as prokuroria.