Milan rrezikon të dalë sërish me rezultat zero tek një tjetër objektiv në merkato.
Pasi “humbi” Botmanin, që u ble nga Newcastle, një tjetër klub i Premier League-s i ndërhyn për t’i marrë një tjetër objektiv. Bëhet fjalë për Leeds United, që është hedhur në sulm për Charles De Ketelaere të Club Brugge.
Në fakt, duket e pamundur që një futbollist të zgjedhë Leedsin para Milanit, por diferencën e madhe e bën oferta financiare. Klubi anglez, me pronar italianin Radrizzani, është gati të paguajë në arkat e Club Brugge 35 milionë euro plus pesë milionë në formë bonusesh.
Kuqezinjtë, për momentin, nuk ofrojnë më shumë 20 milionë euro, shifër që nuk i kënaq drejtuesit e ekipit belg, që e kishin fiksuar çmimin në 30 milionë.
Tashmë, me ndërhyrjen e Leedsit, çmimi i futbollistit është rritur ndjeshëm. Në Belgjikë shkruajnë se Charles De Ketelaere dëshiron Serinë A, i shtyrë edhe nga telefonata që ka pasur me Stefano Piolin.
Tashmë u takon Maldinit dhe Massaras, pasi të marrin “ok”in e Elliott, për të formuluar ofertën e re, atë të duhurën, për të bërë të tyrin trekuartistin e talentuar belg.