Më shumë se 400 të burgosur raportohen të zhdukur pas një bastisjeje në një burg në kryeqytetin e Nigerisë, Abuja, thonë zyrtarët.
Katër të burgosur, një roje sigurie dhe disa sulmues, u vranë pasi burgu u vu në shënjestër të martën mbrëma, sipas zyrtarëve.
Grupi militant islamik Boko Haram, dyshohet se ka kryer sulmin dhe dhjetëra anëtarë të tij janë në arrati, tha ministri i mbrojtjes.
Shpërthime të forta dhe të shtëna me armë zjarri u dëgjuan pranë burgut të sigurisë së mesme të Kujës, pak jashtë kryeqytetit, mbrëmjen e së martës kur ndodhi sulmi.
“Dëgjuam të shtëna në rrugën time. Menduam se ishin grabitës të armatosur… Shpërthimi i parë erdhi pas të shtënave. Më pas u dëgjua i dyti dhe më pas i treti”, tha një banor lokal për agjencinë e lajmeve AFP.
Përveç katër të burgosurve të vrarë, 16 të tjerë u plagosën gjithashtu gjatë sulmit, tha shërbimi korrektues i Nigerisë.
Një numër i të burgosurve të profilit të lartë, duke përfshirë militantë të dyshuar dhe politikanë të burgosur, ishin në objekt në kohën e sulmit. Por shërbimi korrektues tha se zyrtarët e lartë të burgosur nuk ishin në mesin e atyre që ishin arratisur.
Pothuajse njëmijë të burgosur ishin në objekt kur ndodhi sulmi, sipas zyrtarëve. Pothuajse të gjithë ata fillimisht u arratisën, por 443 janë kapur që atëherë.
Ministri i Mbrojtjes Bashir Magashi, u tha gazetarëve se militantët e Boko Haram me gjasë kishin kryer sulmin dhe se 64 xhihadistë të burgosur ishin arratisur nga burgu.
“Asnjë prej tyre nuk është brenda burgut, të gjithë janë arratisur”, tha ai.
Ky sulm i fundit në kryeqytet është përshkruar nga shumë njerëz në Nigeri si një tjetër tregues i përkeqësimit të sigurisë së vendit.