Lista Serbe po e cilëson si “kërcënim me vdekje” komentin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbër Rexhaj për kërcënimin e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, pasi tha se “Kam ardhur në Kosovë dhe s’ka kthim prapa”.
Në një postim në Facebook, Rexhaj u shpreh se Radoiçiqi “ose po do të martirizohet, ose të arrestohet, ose të nis kryengritje të serbëve ku ai e përjeton një nga dy të parat”.
Për këtë deklaratë, nga Lista Serbe kanë thënë se kryeministri Albin Kurti, do të duhej t’i kërkonte sqarime dhe përgjegjësi deputetit Rexhaj.
“Këto kërcënime me vdekje, nëse do të kishte rend dhe ligj, do të duhej të shqyrtoheshin e të thirrej për përgjegjësi deputeti i Kurtit. Por pasi që serbëve në ‘Kosovë dhe Metohi’ e drejta për drejtësi u është mohuar me dekada, fatkeqësisht edhe ky kërcënim do të mbetet pa sanksione nga organet kompetente”, thuhet në komunikatën e lëshuar në Facebook.
Ata po pretendojnë se Kosova përveç që ua mohuan serbëve përdorimin e dokumenteve të Serbisë, “ato po dërgojnë forca speciale të armatosura në mjediset serbe çdo ditë”.
Ndërkohë deklarimin e Radoiçiqit, Lista Serbe po e cilëson mbështetje për popullin serb.