Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se ai dhe kryeministri Edi Rama janë armiq me njëri-tjetrin.
Gjatë fjalës së tij në protestën para godinës së Kryeministrisë, Berisha u shpreh se Rama e do pushtetin për të varfëruar shqiptarët.
Berisha theksoi se, ndryshe nga Rama, ai ka ideal lirinë për t’ua kthyer dinjitetin qytetarëve.
“Edi Rama, ne të dy sot jemi armiq. Po pse jemi armiq? E rëndë, e hidhur të them këtë fjalë, por zemra ime fjalë tjetër nuk nxjerr sepse ti Edi Rama ke për ideal pushtetin, pushtetin dhe vetëm pushtetin, kurse unë me këto burra e gra kemi ideal vetëm lirinë”.
“Ne jemi armiq Edi Rama sepse ti pushtetin e do për të pasuruar veten, për të varfëruar qytetarët, për të poshtëruar qytetarët. Kurse unë dhe këta qytetarë këtu, lirinë e duam për të bërë të lirë shqiptarët dhe për t’i kthyer dinjitetin”, theksoi kryedemokrati.
Protesta ka moton “Shqipëria në rrezik, mos thuaj ç’më duhet mua”. Dyert e godinës së Kryeministrisë dhe të Kuvendit janë blinduar.
Mbi 1000 efektivë të policisë janë të angazhuar në terren mes të cilëve forca të rendit, të Ndërhyrjes së Shpejtë, repartit Shqiponja dhe punonjës të Gardës.