Faqja zyrtare e Federatës së Boksit të Kosovës përmes një njoftimi ka sqaruar se më 8 dhe 9 maj, në Prishtinë, mbahet turneu “Lah Nimani” në Boks.
Federata e Boksit të Kosovës, ka bërë të ditur përmes një njoftimi zyrtar se është në vlugun e përgatitjeve përfundimtare për organizimin e Turneut Ndërkombëtar “Lah Nimani” në boks. Siç është njoftuar më tej në faqen zyrtare të FBK-së, turneu do të mbahet të shtunën dhe të dielën, më 8 dhe 9 maj, në Prishtinë.
Kujtojmë që ky turne vjen vetëm pak kohë pas Kuvendit Zgjedhor të Federatës së Boksit të Kosovës, dhe konstituimit të strukturave të reja. Ndërsa sot dy boksierë nga Kosova, Besart Pireva e Shpëtim Bajoku, janë duke marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik, i cili është duke u mbajtur në Zagreb të Kroacisë.