Gjatë turit nëpër Prishtinë, teksa ecnin, gjatë gjithë kohës pyetnin ciceronin, Ilir Sopjani, se si ka mundësi që një vend të ketë një popullsi kaq të re, është gjëja që u binte në sy vazhdimisht dhe kërkonin me ngulm përgjigjen.
“Më herët, para luftës së fundit, kosovarët kanë bërë shumë fëmijë, pesë e më shumë. Tani pak më pak, dy e tre”, kështu u përgjigjej Sopjani.
Njërit prej vizitorëve gjermanë, Tarek Annan, i kishte mbetur në kokë miqësia që kosovarët i treguan.
“Më pëlqen të jem në Kosovë dhe të takojë këta njerëz kaq të miqësorë. Jam shumë falënderues që jam pjesë e këtij turi sot. Jam shumë i kënaqur se ka kaq mikpritës, pra është një shtet i bukur dhe jam i lumtur që jam këtu”, tha ai.
Nga biblioteka kombëtare ku filloi turi, te hotel Grand e për të vazhduar në ndalesën e radhës te memoriali “Heroinat”.
“Mendoj se është një monument shumë i rëndësishëm, veçanërisht për gratë. Kur raportojmë ne për luftëra, krejt çka bëjmë është se flasim për burrat se sa trima janë, se si luftojnë e tregojnë muskujt e tyre. Shpesh harrojmë se cili është roli i grave në luftë. Se çka bëjnë ato për fëmijët, sepse kanë nevojë për trajtim të duhur, kur vjen puna te shëndeti i tyre”, përfundoi Annan.
Annan bashkë me vendasit tjerë vizitën e përfunduan në muzeun etnologjik i cili gjendet në zonën e vjetër të kryeqytetit. Aty u pritën me gatime tradicionale e verë, të cilën e cilësuan më të mirë se ajo gjermane.