Partia Demokratike e Socialistëve e Malit të Zi, e cila udhëhiqet nga presidenti i këtij vendi Milo Gjukanoviq, e ka ndërprerë mbështetjen për qeverinë e kryeministrit Dritan Abazoviq.
Kjo u vendos pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie.
Në njoftimin e partisë thuhet se arsyeja e ndërmarrjes së këtij hapi është Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe e cila u votua nga shumica e ministrave e Qeverisë së Abazoviqi të premten, më 8 korrik.
DPS deklaroi se marrëveshja me Kishën Serbe kërcënon interesat shtetërore të Malit të Zi.
Kjo parti vlerëson se Qeveria ndryshoi kursin politik për të cilin ishte rënë dakord me formimin e saj.
“Qeveria e braktisi detyrën prioritare të përmbushjes së detyrimeve nga agjenda e integrimit evropian dhe me nguti dhe në mënyrë të papërgjegjshme, pa u konsultuar me ekspertët, bëri marrëveshje me Kishën Ortodokse, duke i shkaktuar dëm të pallogaritshëm interesave shtetërore të Malit të Zi”.
Pas këtij zhvillimi foli edhe kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq.
Abazoviq tha se e mirëpret vendimin e kësaj partie.
“Është përgjegjësi kur nuk ke mundësi ta ndihmosh shtetin, të paktën mos e vështirëso situatën. Do të shohim se cili është qëndrimi i shumicës së deputetëve”, ka shkruar Abazoviq.
Qeveria e Dritan Abazoviqit u formua më 28 prill, pasi në shkurt të këtij viti u rrëzua Qeveria e mëparshme e Zdravko Krivokapiq.
Kjo qeveri u rrëzua me iniciativën e Dritan Abazoviqit, i cili kishte detyrën e zëvendëskryeministrit.
Partia e presidentit malazez ka 29 deputetë dhe është forca kryesore politike në kuvendin e këtij vendi.