Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, foli sot në përkujtimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë. Ai tha se është e një rëndësie të madhe njohja e gjenocidit që ndodhi sot 27 vjet më parë dhe se është kryer nga politikat e së keqes dhe vdekjes.
Abazoviq fillimisht përshëndeti nënat e Srebrenicës, familjet e viktimave, ministrat, anëtarët e korit diplomatik dhe të gjithë miqtë në Bosnje dhe Hercegovinë.
Në fjalën e tij ai theksoi se në këtë ditë 27 vite më parë u vra njerëzimi. Sot, thotë ai, është një shënim simbolik i asaj se “sa të këqij ishim”.
“Më 11 korrik 1995, njerëzimi u vra, por Bosnja vazhdoi të jetonte. Përkujtimi simbolik i sotëm është vetëm një kujtesë se sa keq ishim atëherë. Jo vetëm për ata që jetonin këtu, në zonë, por edhe për ata që mendohej se kanë ardhur të ndihmojnë. Sot, 27 vjet pas kësaj, në Ballkan ende jeton fryma e urrejtjes, fryma e përçarjes, fryma e mosmarrëveshjeve, e cila nuk manifestohet me ngjarje lufte, por manifestohet me politika të gjuha e urrejtjes ose mohimit e urrejtjes”, tha Abazoviq.
Kryeministri i Malit të Zi beson se e kaluara nuk mund të ndryshohet, por e ardhmja po. Ai gjithashtu tha se gjenocidi nuk është kryer nga ushtritë, por nga politikanët, deklaratë kjo që shkaktoi reagime.
“Ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën, ne mund të ndryshojmë të ardhmen, dhe neve na takon të zgjedhim nëse do të jetojmë në kufirin ballkanik apo të përballemi me të vërtetën, t’u bëjmë homazhe familjeve të viktimave dhe t’i lëmë këto pamje të na kujtojnë gjenocidin ndaj viktimave të pafajshme, jo boshnjakëve, por njerëzve. Nuk e kanë nisur ushtritë, por politika – politika e së keqes, vdekjes dhe mashtrimit. Prandaj duhet ta ndryshojmë realitetin, ta shikojmë njëri-tjetrin në sy”, deklaroi Abazoviq.
Në emër të Qeverisë së Malit të Zi, Abazoviq shprehu ngushëllimet më të thella për të gjitha viktimat dhe familjet, duke thënë se beson se vetëm së bashku, në unitet, mund të ndërtojmë një të ardhme shumë më të mirë.