Për të u bë zhurmë e u dëmtuan edhe tavolinat e Kuvendit. Por me kaq energji nuk ka vazhduar edhe puna në Komisionin Hetimor për Menaxhim të Krizës Energjetike.
Pak ditë pa i bërë dy muaj që nga konstituimi, të premten këtu do të ulet dëshmitarja e parë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Megjithatë, kryesuesi Driton Selmanaj i LDK-së konsideron se nuk janë vonë, pasi deri tash janë marrë me diçka tjetër.
“Kemi drejtuar pyetje për shumë institucione që tashmë na kanë pajisur me informacion. Kemi me mijëra e mijëra faqe dokumente në dispozicion si komision”, u shpreh Selmanaj.
Kurse anëtarja Mimoza Kusari-Lila e Vetëvendosjes, thotë se agjenda e ngjeshur në kuvend nuk i lë të punojnë intensivisht.
“Ditët e hënë janë ditë të kryesisë së Kuvendit, martë dhe mërkurë janë të mbushura me komisione funksionale, e enjtja është ditë e seancave plenare, ndërsa e vetmja ditë e lirë për angazhim në komisione të tilla është dita e premte”, shpjegon ajo.
Më optimist është kolegu i saj Arbër Rexhaj nga komisioni i propozuar prej pushtetit. Për energjinë 2006-2022, lista e dëshmitarëve potencial është treshifrore.
“Tri ditë së paku, ku për shembull, do të fillonte mbledhja në orën 10 dhe do të përfundonte në 6, dhe në këtë formë do ta tejkalonim pritshmërinë”, propozon Rexhaj.
Për shkak të rrezes së gjerë të hetimit, kryesuesi Hajdar Beqa nga PDK nuk beson se ky komision do të qesë diçka në dritë.
“Për ta bërë një raport profesional është e pamundur, dhe një raport që pasqyron gjendjen reale, sepse është periudha e gjatë dhe është numri i madh i dëshmitarëve për intervistim”, deklaron Beqa.
Të dy komisionet duhet që deri në dhjetor t’i përfundojnë hetimet dhe t’ia dorëzojnë kuvendit raportin e detajuar me të gjeturat, për t’u votuar në seancë plenare.