Gazetari Baton Haxhiu, përveç pozitës, ka kritikuar rëndë edhe opozitën për qëndrimet që ka karshi dialogut Kosovë-Serbi.
Në një opinion, Haxhiu e quan fëmijë të llastuar kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, edhe për faktin se nuk po e mbron një qëndrim të partisë së tij që kishte në raport me dialogun, e të cilin qëndrim po e lavdëron Haxhiu.
“Në negociatat e drejtuara nga Avdullah Hoti dhe Skënder Hyseni, qëndrimi i prerë i Kosovës ka qenë se çdo marrëveshje paraprake duhet të përfshihet në një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, e cila përmban njohjen reciproke”, ka shkruar Haxhiu.
Haxhiu, i cili është i mendimit se çdo çështje e pjesshme e hapur me Serbinë duhet t’i nënshtrohet procesit të njohjes së ndërsjellë, thotë se sado kritikë të jenë “llafazanët mendjengushtë të VV-së”, kjo ka qenë, sipas tij, prej qasjeve më strategjike, largpamëse dhe kombëtare të Qeverisë së Kosovës në dialog me Serbinë.
“Për çudi, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk i del në mbrojtje as këtij qëndrimi tepër dinjitoz të partisë së tij në dialog me Serbinë. Pse? Sepse ai është më i ngarkuar më shumë me eliminime të brendshme politike, sesa me fatin e Kosovës në një moment tepër delikat historik. Për një çështje kaq serioze, ai del në Kuvend dhe citon reperë banalë kosovarë dhe nënqeshet si një fëmijë i llastuar”.
Haxhiu bëri edhe akuza të tjera drejt Abdixhikut.
“Fatkeqësia është se ky fëmijë i llastuar ekziston në një pakt të ngushtë me krimin e organizuar, të cilët ia kanë financuar një pjesë të mirë të fushatës lokale dhe e financojnë ditë për ditë. Dëshmi? Hulumto pak disa fotografi që qarkullojnë në rrjete sociale dhe do të keni një fushëpamje më të qartë për çka është fjala”.
Në opinionin e tij “Dialogu Sekret Kurti-Vuçiç dhe heshtja e fajshme e opozitës”, Haxhiu thotë se nuk do ta kisha besuar kurrë se në betejën vendimtare me Serbinë, Kosova do përfaqësohet prej “hakiabazëve e opozita e tyre do jenë disa reperë, staf i rregullt kafenesh dhe robë të bëmave të tyre në dëm të këtij vendi”.
“Në të vërtetë, pas këtyre 3-4 marrëveshjeve të reja, do të jetë më e qartë se deri në ç’shkallë Albin Kurti ka vendosur t’i shërbejë Serbisë”.