Bujqit e fshatit Bardh i Vogël i kanë mbushur traktorët me grurë. Por, jo edhe familja Svarça, që nuk arriti të korrë bereqetin sivjet.
Një ditë para se të korrte tokën e mbjellë me grurë, Faik Svarça e gjeti atë të shkrumbuar.
Dikush ia kishte vënë zjarrin sipërfaqes prej 60 ari.
Djali i Faikut, Besimi, po dyshon se arës i është vënë flaka me qëllim, nga inati se gruri i tij ishte më i miri në fshat.
Ara ishte mbjellë me grurë në fillim të muajit tetor, nga kushëriri i Faikut, Neshat Krasniqi.
Sipas Krasniqit, këso raste të djegies së arave nuk kanë ndodhur më parë në fshat.
Këtë e pohojnë edhe banorët e tjerë të Bardhit të Vogël.
Besim Svarça rastin e ka denoncuar në polici, ndërsa nga gruri që nuk e korri pritej t’i siguronte bukë familjes 4 anëtarëshe.
Ndërkohë, policia ka njoftuar edhe për një rast tjetër të djegies së një sipërfaqeje me grurë në fshatin Poslishtë të Prizrenit.