Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar me 1 vit burgim të akuzuarin me inicialet E.A., për shkak të veprës penale “Vjedhje e rëndë”.
Në njoftimin e gjykatës thuhet se vjedhja ka ndodhur më datë 12.06.2022 gjatë periudhës kohore nga ora 13:30 -16:20 min, në Prizren, në rrugën “Tahir Meha” në Prizren.
Tutje, thuhet se në xhaminë “Sinan Qatip”, i pandehuri ka vjedhur kasafortën me të holla nga imami.
“…me qëllim që vetes apo tjetrit t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, ia merr pasurinë e luajtshme të dëmtuarit O.B (imam i xhamisë), në atë mënyrë që duke shfrytëzuar kohën e përshtatshme, hyn brenda në objektin fetar-xhami, dhe gjatë kontrollit me mjet të përshtatshëm e zhvendos nga muri kasafortën metalike e cila kishte të holla në shumën prej 300 eurove, pastaj pa u vërejtur largohet nga vendi i ngjarjes duke e marr kasafortën dhe të hollat të cilat ishin brenda saj, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton dëm material”, thuhet në komunikatën për media.
I njëjti po ashtu është dënuar edhe për veprën penale vjedhje, të cilën e kishte kryer me datë 22.05.2022.
“Rreth orës 01:30 min, në Prizren në rrugën Brahim Osmanaj, personit tjetër ia merr pasurinë me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, në atë mënyrë që shfrytëzon momentin e volitshëm- mos prezencën e të dëmtuarit B.K, merr motoçikletën e markës “Peda”, të cilën i dëmtuari e kishte lënë afër banesës së tij dhe pasi që motoçikleta nuk kishte çelës e shtyn deri në rrugën Ibrahim Rugova, ku edhe ndalohet nga policia dhe shoqërohet në stacionin policor me ç’rast të dëmtuarit i shkakton dëm material”.
Për këtë vepër ai është dënuar me gjobë prej 300 eurove dhe dënim me kusht ashtu që i vërteton dënimin me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh i cili dënim nuk do të ekzekutohet në afatin ligjor prej 1 viti nëse i akuzuari nuk do të kryen vepër tjetër penale.
“Po ashtu të akuzuarit, gjykata me aktvendim të veçantë jashtë seance ia ka ndërprerë masën e paraburgimit që nga data 13.07.2022.Pas shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari i rastit ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar”, thuhet tutje në njoftim.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.