Stafi i mjekëve në Institutin e Onkologjisë kanë bërë përgatitjet e fundit për të nisur punën me rikthimin e aparaturave në radioterapi. Ata kanë njoftuar pacientët se nga e hëna do të mund të marrin shërbimet. Lista e pritjes sillet në rreth 200 pacientë që kanë nevojë për seanca të rrezatimit.
Janë finalizuar pothuajse të gjitha punimet në njësinë e radioterapisë tek Instituti Onkologjisë. Aty pritet të rikthehen shërbimet për pacientët me kancer që u detyruan t’i ndërpresin seancat e rrezatimit për shkak se repartin e vërshoi uji javë më parë. Drejtori i këtij institucioni thotë të kenë bërë testet pothuajse të të gjitha aparaturave në mënyrë që të hënën të nisin punën.
“Mendojmë se shumica e aparaturave të kthehen në funksion nga dita e hënë dhe të vazhdojmë tutje me pacientët që kanë pasur nevojë për radioterapi. I kemi informatat nga kompania që gjithçka është në rregull”, tha Drejtori i Institutit të Onkologjisë, Ardian Mullaku.
Ndërkaq, ekipi profesional shëndetësor gjatë ditës së premte kanë bërë listën e pacientëve që do të nisin rrezatimet nga e hëna sipas prioriteteve.
“Tre ditët e para vijnë pacientët që kanë filluar dhe ndërpre trajtimin dhe pastaj shkojmë sipas prioriteteve”, tha shefja e Radioterapisë, Sonja Blakaj.
Blakaj tutje ka shpjeguar se lista e pacientëve që po presin për shërbime është deri në 200, ndërsa theksoi se seancat do të mund t’i vazhdojnë edhe ata pacientë që ndërkohë kanë bërë zgjidhje në klinika të tjera.
Pas vërshimeve dy javë më parë Ministria e Shëndetësisë kishte kërkuar mbështetje nga Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri që pacientët të vazhdojnë trajtimin me seanca të rrezatimit atje.