Ferizaj është një nga qytetet më të mëdha dhe me më ndikim në sferën e ekonomisë në vendin tonë.
Megjithatë, tash e disa vjet klubet e futbollit dhe tifozët e këtij qyteti kanë mbetur pa stadium të mirëfilltë. Stadiumi ‘Ismet Shabani’ i cili kishte filluar të rinovohej ka mbetur vetëm gërmadhë dhe ka dështuar si projekt për stadium, teksa skuadra e rikthyer në elitë Ferizaj ndeshjet i zhvillon në terrenin me bari artificial.
Ka kohë që këtij qyteti i është premtuar ndërtimi i një stadiumi, madje është mbajtur edhe debati me qytetarë për lokacionin e tij, por deri tash nuk ka lëvizur asgjë në këtë drejtim.
Kjo ka bërë që drejtuesit e FC Ferizajt së bashku me veteranë të futbollit, shoqërinë civile dhe qytetarët ta krijojnë grupin iniciues për realizimin e peticionit qytetarë me kërkesën e ndërtimit të stadiumit në Ferizaj.
“E vërtetë që u mbajt debati dhe nga ajo ditë nuk u tha më asnjë fjalë nga ministria. Siç e dini ai debat ishte mjaft masovik, por prapëseprapë hasi në veshë të shurdhër. Duke e parë këtë heshtje mbi ndërtimin e stadiumit ne e kemi pa të rrugës ta mbajmë edhe një takim me qytetarët dhe me veteranët e sportit, të cilët publikisht i falënderoi që po na gjinden në vazhdimësi në përkrahje dhe kemi vendosur për fillimin e një peticioni qytetarë“, ka theksuar kryetari i FC Ferizaj, Lulzim Abazi. Ai ka thënë se ky peticion do të jetë për të gjithë qytetarët e Ferizajt, në mënyrë që ta ngrisim në nivel më të lartë kërkesën e drejtë të tyre.
“Neve na takon një stadium i tillë dhe të jemi me të dinjitetshëm para futbollistëve tanë. Këtë peticion do t’ia adresojmë Ministrisë së Sportit dhe një kopje do ta dorëzojmë edhe në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë tutje Abazi.
Ai ka thënë se ky peticion do të organizohet për 1 muaj dhe ka ftuar të gjithë qytetarët e Ferizajt që ta japin nënshkrimin e tyre në këtë kërkesë të drejtë të tyre.
E prona ky planifikohet ndërtimi i stadiumit është afër palestrës së sportit ‘Bill Clinton’ dhe është nën menaxhimin e AKP-së.