Edhe një ish-luftëtar i UÇK-së tash e 2 vjet e gjysmë po mbahet i burgosur. Nezir Mehmetaj, i arrestuar më 3 janar të vitit 2020 në Merdar, po vazhdon të qëndrojë në paraburgim në Serbi.
Njohës të fushës së drejtësisë thonë se Serbia ka bërë shkelje me arrestimin e Nezir Mehmetajt në territorin e saj.
Erdhi nga Zvicra për pushime në vendlindje, por jo gjithçka shkoi mirë. Nezir Mehmetaj në dimrin e 2020-s u arrestua në pikën kufitare në Merdar nën dyshimet për krime lufte dhe, që prej asaj kohe, ai po qëndron në paraburgim në Serbi. Mehmetaj më 3 janar të 2020-s u ndalua nga autoritetet serbe derisa po kthehej në Kosovë me nënën e tij nga një spital në Nish.
Familjarët e Mehmetajt thonë se gjendja shëndetësore e Nezirit nuk është e mirë ai vuan nga sëmundja e diabetit dhe po ashtu nga pagjumësia, duke u bazuar në ndjenjën e pasigurt për të fjetur.
Neziri nga zyra ndërlidhëse e Kosovës në Beograd i bën vizitat dhe kur mbahet seanca gjyqësore përcjellet edhe nga zyrtari i kësaj zyre ndërlidhëse e shtetit tonë.
RTK ka kontaktuar me avokatin e Mehmetajt, Milic Konstantinovic, i cili ka thënë se nuk do të prononcohet derisa të përfundojë gjykimi i Nezirit. Me arrestimet e shtetasve të Kosovës, Serbia po bën shkelje, thotë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, sipas të cilit Rezoluta 1244 e përcakton se për çdo krim apo për çdo dyshim të mundshëm për ndonjë vepër penale në territorin e Kosovës, kompetente janë autoritetet kompetente të Republikës së Kosovës
Republika e Serbisë nuk ka mandat, nuk ka autoritet dhe nuk do të duhej që ta arrestonte apo ta gjykonte shtetasit e Republikës së Kosovës në çdo rast kur ka supozime se te ne mund të jenë kryerësit e veprave penale të krimeve të luftës. në këtë drejtim besoj se institucionet e Republikës së Kosovës, me theks të veçantë Qeveria Republikës së Kosovës do të duhej të kishte një zë më të madh me partnerët ndërkombëtarë në dialogun Kosovë-Serbi në mënyrë që kjo në njëfarë mënyre të mos keqpërdoret nga Republika e Serbisë për t’i bërë presion apo për t’ua shkelur të drejtat dhe liritë e njeriut zyrtarve të Republikës së Kosovës.
Nezir Mehmetaj është i akuzuar për pjesëmarrje në krime lufte kundër civilëve në fshatin Rudicë në komunën e Klinës në qershor dhe korrik 1999. Ai akuzohet nga Serbia për përfshirje në vrasjen e shtatë personave dhe djegien dhe plaçkitjen e shtëpive në Rudicë si anëtar i UÇK-së.