Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se sanksionet e BE-së të vendosura kundër Rusisë për agresionin në Ukrainë, nuk do të hiqen nëse vendoset paqja sipas kushteve të Rusisë.
Scholaz iu referua një marrëveshjeje në rast se Rusia ta detyronte Ukrainën të ulej në tavolinën e negociatave pasi të mposhtë në luftë.
“Se neve mund të na duhej t’i mbanim sanksionet tona në fuqi për një kohë të gjatë, ishte e qartë që në fillim. Është gjithashtu e qartë për ne, se në rast paqeje sipas kushteve të vendosura nga Rusia, asnjë nga këto sanksione nuk do të hiqet”, shkroi Scholz në një artikull për gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, përcjell “Erdupoint” të hënën.
Në fakt, edhe Rusia më herët ka thënë se “Ukraina duhet të pranojë realitetin e ri territorial”, duke iu referuar zonave të pushtuara ukrainase në lindje dhe jug të këtij vendi.
Scholz pranoi se qytetarët gjermanë po vuajnë nga pasojat e sanksioneve, duke u përballur me çmimet e larta të gazit dhe ushqimeve.
“Kjo rrugë nuk është e lehtë edhe për një vend kaq të fortë dhe të begatë si yni”, tha Scholz.
Përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së do të diskutojnë sanksionet e reja kundër Rusisë dhe ndihmën për Kievin gjatë takimit të së hënës të Këshillit të Punëve të Jashtme.
Takimi do të trajtojë gjithashtu aspekte që lidhen me sigurinë ushqimore si dhe përpjekjet e vazhdueshme të udhëhequra nga OKB-ja për të mundësuar eksportin e drithërave nga Ukraina nëpërmjet Detit të Zi.
Rusia nisi luftën, që ajo e quan operacion special ushtarak, në Ukrainë më 24 shkurt. Në përgjigje të luftës së Rusisë, vendet perëndimore kanë zhvilluar një fushatë gjithëpërfshirëse sanksionesh kundër Moskës dhe kanë furnizuar me armë Ukrainën.