Vonesa e borxheve shkakton telashe të shumta mes qytetarëve të cilët kanë raporte të afërta me njëri-tjetrin. Si rrjedhojë e kësaj krisen miqësi e lidhje familjare, e shpesh herë lindin edhe konflikte të cilat pasojnë me kërcënime e konfrontime fizike.
Një rast i tillë ka ndodhur sot pasdite në fshatin Gushavc të komunës së Mitrovicës, ku një person ka kërcënuar fqinjin e tij të cilit ia kishte huazuar një shumë të parave në vlerë të 50 eurove.
Sinjali mëson se i dyshuari i kishte dalë në pritë 50-vjeçarit, të cilin e ka kapur për fyti e ia ka shqyer bluzën që e kishte të veshur e më pas ia kishte treguar edhe armën që po bartte në brez.
I dyshuari i ishte drejtuar fqinjit të tij duke i dhënë ultimatum që t’ia kthejë borxhin deri më datën 1 të muajit gusht me fjalët se “nëse nuk e kthen borxhin deri më 1 gusht, e din çka të pret”.
Nga frika se mund të ndodhë më e keqja, 50-vjeçari ka raportuar rastin në Polici të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë bastisur shtëpinë e të dyshuarit, por nuk kanë gjetur asgjë të dyshimtë.
Me vendim të prokurorit, ndaj 42-vjeçarit të dyshuar është iniciuar rasti ‘Kanosje’.