Ministria e Shëndetësisë ka lëshuar një njoftim për media ku thuhet se personeli shëndetësorë dhe rrethi i tyre janë prioritet në vaksinim, raporton Gazeta Enigma.
“Në vijim të kësaj faze të vaksinimit, gjithnjë duke u bazuar në Planin e vaksinimit, punëtorët shëndetësor të cilët për shkaqe objektive nuk janë vaksinuar në fillim, Inspektorati Shëndetësor dhe të gjitha kategoritë shëndetësore që përbëjnë vijën e parë të frontit në luftën kundër COVID-19 dhe strukturat monitoruese, janë prioritet dhe do të vaksinohen, gjithashtu”, thuhet në njoftim.
Siç thuhet në njoftim, aludimet nga kushdo qoftë se ka pasur refuzim të vaksinimit, apo pritje të përzgjedhjes së llojit të vaksinës nuk janë të bazuara.
“Komiteti Kombëtar për vaksinim kundër COVID-19 u ka dhënë prioritet punëtorëve shëndetësor si kategori esenciale për menaxhim të situatës me pandeminë, krahas kategorive të tjera, që po ashtu, janë vaksinuar në fazën e parë si të moshuarit; të vendosurit në qendrat për të moshuar dhe punëtorët social që kujdesen për ta, të sëmurët kronikë në moshat e shtyra, etj., gjithnjë sipas Planit Shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19”, thuhet tutje në njoftim.
Andaj siç thuhet në njoftim, MSH-ja i inkurajon qytetarët që të përcjellin njoftimet zyrtare për fazat e ardhshme të vaksinimit dhe kategoritë që do të vaksinohen sipas Planit.
/Gazeta Enigma/.