Zonja e Parë e Ukrainës Olena Zelenska ka thënë se lufta në Ukrainë e ka bërë djalin e saj nëntë vjeçar të dëshirojë të bëhet ushtar.
Në një intervistë për NBC, Zelenska tha se tani e vetmja gjë që djali i saj Kyrylo dëshiron të bëjë është “artet marciale dhe si të përdorë një pushkë”.
Ajo shtoi se shpresonte që fëmijëria e djalit të saj t’i “rikthehej” atij.
Zonja Zelenska, gruaja e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ishte në një vizitë në SHBA, ku ajo kishte kërkuar më shumë armë për Ukrainën.
Duke folur për ndikimin e luftës pesë mujore me Rusinë tek djali i saj, ajo tha: “Para luftës, djali im shkonte në ansamblin e vallëzimeve popullore. Ai luante piano, mësoi anglisht. Por pas pushtimit të Rusisë, e qartë se ai dëshiron të jetë ushtar. Nuk mund ta kthej atë në art dhe shkenca humane. Dhe ajo që unë me të vërtetë dua të siguroj është që fëmijëria e djalit tim t’i kthehet atij dhe që ai ta shijojë jetën e tij në maksimum.”
Zonja Zelenska, e cila është gjithashtu nënë e 18-vjeçares Oleksandra, foli për gjendjen e vështirë të fëmijëve dhe prindërve të tjerë gjatë vizitës së saj në SHBA.
Gjatë një fjalimi 15-minutësh në Kongresin Amerikan, të mërkurën, ajo prezantoi foto dhe video të fëmijëve ukrainas që janë vrarë ose plagosur gjatë luftës.
Një nga imazhet e përfshira ishte e Liza Dmytriyeva 4 vjeçares, e cila u vra në një sulm ajror në Vinnytsia.
“Ne duam që çdo baba dhe çdo nënë të jetë në gjendje t’i thotë fëmijës së tyre: “Shko të flesh i qetë. Nuk do të ketë më sulme ajrore, nuk do të ketë më sulme me raketa”. A është kjo shumë për të dëshiruar?” tha ajo gjatë fjalës së saj.
Por fatkeqësisht, lufta nuk ka mbaruar, terrori vazhdon.
Duke bërë thirrje për më shumë armë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, ajo tha: “Unë po kërkoj armë. Armët që nuk do të përdoren për të bërë një luftë në tokën e dikujt tjetër, por për të mbrojtur shtëpinë e dikujt dhe të drejtën për t’u zgjuar të gjallë në atë shtëpi.”