Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratave të presidentes Vjosa Osmani dhe ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, të cilat thanë drejtuan gishtat te deputetët që votuan për themelimin e Gjykatën Speciale.
Çitaku tha se e di mirë këtë, por se presidentja dhe ministrja duhet ta tejkalojnë inatin meqë “urrejtja nuk është platformë e shëndoshë”.
“Dje Presidentja e sot Ministrja e Drejtesisë janë përkujdesur me na e përkujtu se kush ka bërë presion për themelimin e Gjykatës Speciale. E dimë dhe e mbajmë mend shumë mirë. Sikurse e dimë që nuk ka pasur rrugë tjetër pas miratimit të atij raporti monstruoz nga ana e Këshillit të Evropës. Sikurse e dimë dhe e mbajmë mend kontekstin ndërkombëtar në atë kohë. Sikurse e dimë dhe e mbajmë mend se kush çfarë qëndrimi ka mbajtur atë botë. Sikurse e dimë dhe e mbajmë mend se kush e ka kundërshtuar sinqerisht, kush e ka kundërshtuar rrejshëm, kush e ka miratuar si domosdoshmëri, si dhe kush e ka miratuar me entuziazëm, pa fije presioni.
Çitaku tha se shihet që edhe raporti i Dick Martyt dhe aktakuza e ngritur nuk kanë të përbashkët as pikë e as presje.
“Sikurse e dimë që shumë prej nesh kishim me i dhanë krejt vitet e karrierës në politikë për një ditë të tyre në UÇK. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe shokët e tyre nuk janë në Hagë për shkak të aktivitetit politik. Ata janë atje si prijës të UÇK-së. Duheni me qenë në gjendje e e tejkalu inatin. Urrejtja nuk është platformë e shëndoshë”.
Presidentja Osmani në konferencën e përbashkët për media që e pati dje me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se nuk harron se kush ka insistuar më së shumti që të formohet Gjykata Speciale, duke aluduar në ish-presidentin Hashim Thaçi.
“Ne nuk harrojmë sado që dikush mund ta ketë një dëshirë të tillë se kush insistonte më së shumti dhe kush bënte presion më së shumti që të themelohej Gjykata Speciale para disa vitesh nuk e harrojmë sado që dikush mund të ketë një dëshirë të tillë”.
Derisa sot një deklaratë të ngjashme e bëri edhe ministrja e Drejtësisë.
Ajo ka thënë se përgjegjës për formimin e Gjykatës Speciale janë ata që ua ndrydhën duart deputetëve kur u votua në Kuvend në vitin 2015, duke aluduar në ish-presidentin Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Veseli.
“Ne Specialen e kemi gjetur si fakt të kryer. Nuk mund të mbahemi përgjegjës për këtë, përgjegjës mund ta mbahen vetëm ata që në atë kohë ua kishin ndrydhur duart deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Fatkeqësisht, janë ata që sot hedhin akuza në drejtim të Qeverisë tonë, mirëpo, mendoj që në radhë të parë ata duhet të japin përgjegjësi për veprimet që i kanë bërë”, tha ajo në një konferencë për media.