Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përmes një postimi në rrjete sociale i është drejtuar ambasadorit së Britanisë së Madhe në Shqipëri, Sir Alastair King-Smith, pas reagimit që kjo e fundit bëri për deklaratën e Berishës për shpalljen non-grata nga autoritetet britanike.
Berisha tha se reagimi i ambasadës kishte mungesë të fakteve dhe në të mbrohen, sipas tij, shpifjet vulgare, të Sekretarit të Brendshëm të Britanisë së Madhe, në të cilën Berisha akuzohet për korrupsion dhe përdorim të pushtetit për pasurimin e tij dhe rrethit të tij.
Për këto, Berisha thotë se nuk ka asnjë provë dhe sipas tij nuk do të ketë kurrë pasi që siç thotë ai ato nuk ekzistojnë.
“E vetmja gjë konkrete, që përmendet në atë letër për korrupsionin është shtetasi britanik Damir Fazliç, ish-këshilltari im elektoral në ekipin e BGR në zgjedhjet e vitit 2005, të cilin sipas letrës, unë e kam pasuruar dhe mbrojtur kur ndaj tij dolën prova inkriminuese. Në fakt, 14 vite më parë, Prokuroria shqiptare e hetoi sipërmarrësin në fjalë për një kohë të gjatë, duke konkluduar se nuk kish mundur të provonte asnjë nga shkeljet e pretenduara për të. Dhe, me lejoni të theksoj se, e gjithë historia lidhet me sjelljen e kapitalit privat të Fazllic për investim direkt, dhe jo për lidhje me tendera apo kontratat publike”.
“Për më tepër, gjatë 9 viteve që prej largimit tim nga qeveria, nëse do të kishtë pasur shkelje, Prokuroria ka pasur mundësi të hetonte përsëri, por asnjëherë, një gjë e tillë nuk është bërë për faktin e thjeshtë se hetimi i parë, ndonëse i plotë e i thelluar, nuk gjeti asgjë të jashtëligjshme.Nëse Shkëlqesia Juaj ka prova inkriminuese për shtetasin Tuaj, ligji Ju detyron t’i dërgoni ato para drejtësisë shqiptare ose angleze, dhe jo të tirrni shpifje publike pa sjellë asnjë argument” ka shkruar Berisha.
Më tej, Berisha tha se shpallja non-grata përbën një skandal të rëndë dhe akt të mirëfilltë korruptiv, që sipas tij, ka për qëllim final të zgjasë ditët e qeverisë, siç e quajti ai, më të korruptuar dhe inkriminuar të Evropës.
“Me këtë rast, dua t’Ju siguroj, Ju dhe qeverine e Madhërisë së Saj, për të cilën ruaj respekt të vërtetë, se me të gjitha mundësitë e mia modeste, nuk do rresht së luftuari për të bindur shqiptarët se korrupsioni, krimi i organizuar dhe shitblerja e votës janë armiqtë e lirisë, demokracisë, dinjitetit dhe të ardhmes së tyre”, shkroi Berisha.
Në fund, Berisha i kërkoi ambasadorit britanik në Tiranë, King-Smith, dhe qeverisë së Mbreterisë së Bashkuar që çdo provë, fakt apo dokument që disponojnë apo mund ta sigurojnë t’i paraqesin pranë gjykatave shqiptare apo britanike.
Kujtojmë se Britania e Madhe është superfuqia e dytë që e shpall Sali Berishën person non-grata, pas më shumë se një viti kur njëjtë pati vepruar edhe ShBA-ja.