Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti që në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për energjinë me Sfidat e Mijëvjeçarit të mërkurën u shpreh se “i vjen keq që s’do të jetë i pranishëm në Kuvend në ndër rastet e rralla kur opozita përkrah qëndrimet e pushtetit”.
Çitaku i ka thënë Kurtit se ai duhet të dijë që në SHBA e ka përfaqësuar Kosovën dhe jo partinë e tij.
“Në ceremoninë për nënshkrimin e marrëveshjes me MCC, marrëveshje për të cilën kjo qeveri nuk ka asnjë meritë, në fakt vetëm e ka devijuar procesin nga gazsjellësi në bateri, Kryeministri Kurti paska zgjedhur të thumbojë opozitën. Po ju them, me kompetencë, nikoqirët e ceremonisë i keni vu në siklet. Kryeministër, në SHBA e përfaqëson Kosovën, jo VV-në. Kur nënshkruan marrëveshje nënshkruan në emër të Kosovës, jo në emër të partisë. Koncepti parti-shtet është fundosur në Evropë, falë SHBA-së”, ka shkruar Çitaku të enjten në mëngjes.
Kurti në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, nga Washingtoni bëri të ditur se marrëveshje do të prezantohet në Parlament për ratifikim qysh të enjten.
“Më duhet të pranoj, më vjen pak keq që do të jetë kaq shpejt, sa që ministrja Rizvanolli dhe unë do të humbim një nga rastet e rralla kur opozita përkrah qëndrimet tona”, u shpreh Kurti gjatë fjalimit të tij në ceremoni, duke shtuar se “mungesa e tyre do ta mërzisë edhe opozitën” e duke shkaktuar të qeshura.
Kosova dhe Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) kanë firmosur të mërkurën mbrëma në Kongresin amerikan, Programin Kompakt të Kosovës, që pritet t’i sjellë vendit mbi 200 milionë dollarë investime në projekte në fushën e energjisë.
Në ceremoninë ku të pranishëm ishin edhe presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Kurti, marrëveshjen e firmosi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Krerët e Kosovës e kanë quajtur këtë marrëveshje historike.