Arrestohet shoferi i autobusit në të cilën u aksidentua vetura në Podujevë

Është arrestuar shoferi i autobusit në të cilin u aksidentua mëngjesin e sotëm një veturë me targa të huaja, duke lënë të vdekur dy persona dhe të lënduar dy fëmijë.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore nga ana e Prokurorit të Shtetit në koordinim të plotë me policinë, sot, me urdhër të prokurorit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, një person i dyshuar, shoferi i autobusit”, ka thënë Ulaj.

Ajo tutje ka bërë të ditur se i dyshuari është arrestuar për shkak të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik me fatalitet”.

“Ndaj rastit po vazhdojnë të ndërmerren veprimet hetimore, me qëllim të ndriçimit të të gjitha rrethanave”, ka shtuar Ulaj.

Një familje katër anëtarëshe nga Malisheva u aksidentua mëngjesin e sotëm në rrugën Prishtinë – Podujevë derisa ishin duke ardhur nga Sllovenia për pushime në Kosovë.

Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda pësuan dy persona 36 dhe 35-vjeç, të cilët nuk arritën të iu bënin ballë plagëve dhe të njëjtit ndërruan jetë.

Ndërsa të lënduar mbetën fëmijët e tyre, të cilët jashtë rrezikut për jetë dhe po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Related Articles