Xhelozi dhe dhunë, 37-vjeçarja sot do largohej, si u vra nga bashkëjetuesi i denoncuar në polici

Xhelozi dhe dhunë, 37-vjeçarja sot do largohej, si u vra nga bashkëjetuesi i denoncuar në polici

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në lagjen “Skëndërbej”, në Elbasan ku Ramis Mici 37 vjeç, masakroi me thikë bashkëjetuesen e tij Jetlira Elezi, 37 vjeçe.

Të dy vinin nga divorce bashkëshortore dhe kishin nisur bashkëjetesën por duket se edhe lidhja e tyre nuk funksionoi dhe kishin lindur sherret. Pronarët e banesës treguan se tre ditë më parë aty kishte ardhur policia që kishte shoqëruar 37-vjeçarin për dhunë. Që nga ai moment ata nuk jetonin më bashkë ku burri jetonte në katin e parë ndërsa gruaja në bodrum.

Duke folur për incidentin e parë të ndodhur mes çiftit, pronari i shtëpisë tregon:

“U grinë të dy, po pa e ditur ne sesi…rrinin të dy këtu në kat të dytë brenda. Erdhën me një grindje të vogël. Ajo iku në polici e denoncoi para 4-5 ditësh. Erdhi policia këtu. Nuk e pamë se çfarë i bëri.”

Burime nga Prokuroria e Elbasanit u shprehën se gruaja nuk ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje edhe pse ajo kishte bërë një kërkesë. Ndërkohë bëhet e ditur se sot Jetlira do largohej nga banesa.

Bëhet e ditur se Ramis Mici autori që ende është në kërkim nga policia, mesa duket nuk është hera e parë që dhunon njerëzit e tij të afërm. Edhe në martesën e parë ai ka shfaqur të njëjtat probleme me dhunën.

Si Elezi, ashtu edhe Mici kishin fëijë nga martesat e para. Të dy punonin ku të mundnin, Jetlira në një fast food dhe Ramizi merrej me gipse në ndërtim.

Viktima mbante një nga fëmijët e saj, ndërsa fëmijët e Ramisit mbahen nga ish e shoqja e tij. Vajza e viktimës fatmirësisht nuk ka qenë në banesë kur ka ndodhur ngjarja pasi ishte te babai.

Autori ishte nga fshati Selitë në Mollas, ndërsa viktima nga një fshat i Belshit. Shkaku i mosmarrëveshjeve në çift dyshohet të jetë xhelozia. Policia ndërkohë është vënë në ndjekje të autorit i cili u largua fill pasi kreu vrasjen. Uniformat blu thonë se po vijon krehja e zonës për kapjen e tij.

Related Articles